Pacientët në Infektivë në gjendje të rënduar, kërkohet shtrëngim i masave

Klinika Infektive tash e sa javë të gjithë shtretër e saj i ka të mbushur me pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë dhe mbi 100 prej tyre po arrijnë të marrin frymë fal oksigjenit artificial.


Duke marr parasysh situatën pandemike në vend dhe rastet aktive me COVID, po kërkohet respektim më rigoroz i masave aktuale dhe shtim të masave tjera.Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku ka deklaruar se rritja e rasteve në javët e fundit të të infektuarve me COVID-19 ka ndikuar të rritet edhe numri i të hospitalizuarve.

Sipas tij gjendja e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është mjaft e rënduar.

“Realisht rritja e numrave me COVID-19 në dy javët e fundit ka ndikuar që kjo të reflektojë edhe në rritjen e numrit të hospitalizuarve, ne faktikisht i kemi çdo ditë qe dy javë gati e kemi çdo ditë të mbushura kapacitetet e Klinikës Infektive. Po krijohet përshtypja që nuk ka vende të lira por Infektiva është klinika e parë dhe kemi edhe tri klinika tjera përveç Infektives që janë për pacientët me COVID dhe kështu deri sot asnjë pacientë që kanë pasur nevojë për marrjen e shërbimeve nga mjeku nuk ka mbetur pa shërbime”

“Jemi duke bërë përgatitje për të hapur edhe klinika tjera me qëllim që të krijohen shtretër të mjaftueshëm për gjithë pacientët. Faktikisht gjendja është shumë e rëndë ne i kemi mbi 100 pacientë që janë me oksigjenoterapi dhe një pjesë e madhe e tyre është me gjendje të rëndë klinike. Ky numër i madh i rasteve të reja ka filluar të reflektohet edhe në numrin e të sëmurëve”, tha ai për KosovaPress.

Sadiku foli edhe me situatën epidemiologjike në vend, ku kërkoi nga Qeveria e Kosovës një analizë të kësaj situatë dhe respektim më të ashpër të masave por edhe nëse është nevoja shtim të masave të reja me qëllim të parandalohet përhapja tutje e infeksionit COVID-19 në vendin tonë.

Nëse nuk ndodh kështu, infektologu Sadiku paralajmëron edhe shtim të rasteve të reja të të prekurve me koronavirus.

“Sipas rekomandimeve të IKSHPK duhet me pas kujdes më shumë së pari do të duhej me i respektua masat edhe mbikëqyrja e respektimit të tyre sepse ka rënë respektimi i masave. Pastaj ndoshta mund të bëhen edhe ndonjë restriksion tjetër sipas rekomandimit të IKSHP me qëllim që ky trend dhe numri i madh i rasteve që janë të ndalës për arsye se paraqitja e 13 mijë rasteve aktive është i madh sepse nëse një apo dy pacientë e marrin prej atyre që janë aktive sot mund të kemi edhe 20-30 mijë raste për një kohë shumë të shkurt. Prandaj, për t’ dhënë hapësirë vaksinës qeveria mendoj që do të duhej me analizua situatën bashkë me Institutin dhe me marr masa adekuate së pari në respektim të masave që janë dhe me shikua a ka nevojë për masa tjera shtesë apo jo”, u shpreh infektologu Sadiku.

“Sigurisht që numri i madh i pacientëve që po kanë nevojë për trajtim e vështirëson edhe shtetin me pas sigurisht që buxheti që është për COVID gjithnjë e më shumë po rëndohet. Sa i përket antibiotikëve dhe terapisë tjetër kemi pasur me ndonjë mungesë të herë pas hershme. Ajo që ka munguar deri tani është Remdesiviri një bar antiviral i cili ende nuk ka arritur me siguruar ministria e Shëndetësisë, ndërsa terapia tjetër në shumicën e rasteve ka qenë e blerë nga shteti”, deklaroi ai.

Në Klinikën Infektive që nga dje ka nisur vaksinimi i profesionistëve shëndetësor i kësaj klinike. Ndër të parët që e morën këtë vaksinë ishte edhe infektologu, Izet Sadiku i cili tha se nuk ka pasur ndonjë shqetësim të theksuar.