Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ndërsa ka folur për koalicionet për zgjedhjet e përgjithshme, ka pohuar se partia e tij nuk ka vënë vija të kuqe për asnjë parti.
“Si çdo parti edhe ne jemi gati për procesin zgjedhor. Nuk kemi vija të kuq me askënd. Ne gjithmonë e shikojmë programin dhe kualitetin që secila parti e ofron në Qeveri. Me të gjitha partitë jemi të hapur për koalicion. Po presim oferta”, ka deklaruar ai.
Por që në zgjedhjet e 2015-ës kreu i AKR-së ka deklaruar se kishin qenë shumë afër me Vetëvendosjen që të hyjnë në koalicion.
“Ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë me Vetëvendosjen. Ka ndodhë një mosmarrëveshje edhe ne u rreshtuam me LDK-në. Por kemi punuar shumë program por interesant ka qenë bashkëpunimi”, ka deklaruar Pacolli për Express.
I pyetur nëse partia e tij do të hyjë në koalicion parazgjedhor ai thotë se po i shqyrton mundësitë, por nuk tregon me cilat pari.
“Po i shikojmë programet. Mund edhe të kemi koalicione të tilla (parazgjedhore)”, deklaron Pacolli.
Kurse i pyetur se a është Agim Bahtiri pjesë e partisë, Pacolli ka thënë se po.
“Ne jemi parti liberale. Bahtiri është pjesë e jona. Nuk kam ndonjë njoftim që nuk është”, thotë Pacolli.