×
  • Lajme
  • Lajme

    Pacolli jep sqarime rreth arrestimit të shtetasit rus

    Reporteri
    28 Maj 2019 | 18:05

    Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, Policia ka arrestuar një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK’ut, i cili është shtetas rus dhe një zyrtar tjetër lokal.


    Pacolli nuk e ka përmendur lirimin e zyrtarit rus, pavarësisht se UNMIK’u më herët njoftoi për lirimin e tij.

    Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se MPJ’ja do ta trajtojë këtë çështje bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

    Ai më tej ka thënë se institucioni që ai udhëheq e ka thirrur UNMIK’un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë.

    “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Policia e Kosovës ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes. Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë”, shkruan Pacolli.

    Ndërkohë, përmes një njoftimi për media të UNMIK-ut, është njoftuar se njëri nga të arrestuarit, me shtetësi ruse është liruar.

    Ndërsa kreu i këtij misioni në Kosovës, Zahir Tanin, ka thënë se për çfarëdo lëndimi të mundshëm të ndonjë pjesëtari të Kombeve të Bashkuara do të marrë përgjigje më të lartë diplomatike dhe ligjore.

    Ai më tutje ka bërë thirrje që të respektohet rendi dhe ligji, duke thënë se UNMIK-u do të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në veri.

    “Ftoj të gjitha palët t’i respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit të gjithëve për jetë dhe liri, dhe të ndihmojnë në rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë në atë rajon”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga zyra e UNMIK-ut në Kosovë.

    Ndryshe, një aksion i Policisë së Kosovës në Veri janë arrestuar gjithësejt 19 persona.

    Kujtojmë se aksioni i policisë u shtri edhe në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë Veriut, Drenas e Skenderaj.

    Përmes një komunikate policia ka bërë e ditur këta persona dyshohen për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale, si: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”.

    Për realizimin e këtij aksioni, Policia e Kosovës ka hasur edhe në rezistencë të armatosur. Deri më tani është raportuar se janë të plagosur katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!