Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj kreut të Kishës Serbe, Patriarkut Irinej.
Sipas Pacollit, Irinej duhet të vizitojë vende që kanë përjetuar masakra gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vend se të vizitojë, sic thotë ai, “kriminelët e luftës”, shkruan Reporteri.net.
“Assadi e ka pritur sot Patriarkun Irinej, drejtuesin e Kishës Ortodokse Serbe. Ai e drejton të njëjtën Kishë e cila i ka bekuar kriminelët gjatë viteve të 90-ta dhe e ka mbajtur shoqërinë serbe të jetojë në një botë paralele. Ai duhet ta vizitojë Reçakun, Izbicën dhe Krushën dhe të takojë të mbijetuarit në vend që t’i vizitojë sërish kriminelët e luftës. Turp të kesh”, ka thënë Pacolli.
Sidoqoftë, deri tani nuk është raportuar mjaftueshëm lidhur me këtë takim dhe as për qëllimin e tij, mirëpo Irinej është një prej figurave më me ndikim në Serbi.
Ndryshe, ministri Pacolli kohëve të fundit është bërë më i ashpër me reagime ndaj liderëve politikë serbë, por duke mos përjashtuar as ata fetarë. Ditë më parë, Ministria që ai drejton ia ndaloi hyrjen në Kosovë kryeministres serbe, Ana Brnabiq./Reporteri.net