Pak ditë para Kuvendit Zgjedhor, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka qëndruar për kontroll shëndetësor në Gjermani, ku ishte trajtuar vitin e kaluar për muaj të tërë. Mjeku i tij personal Halil Krasniqi ka konfirmuar për Express vizitën e Mustafës atje duke thënë se ka përmirësime të dukshme të gjendjes shëndetësore të kryetarit të LDK-së. Pas kthimit nga shteti gjerman Mustafa ka dhënë indikacione të qarta se është në garë për t’u rizgjedhur kryetar partie.
Ka më shumë se një vit që kreu aktual i LDK-së, Isa Mustafa, është duke u trajtuar nga një sëmundje. Ai kishte pësuar një ftohje respiratore gjatë shkurtit të vitit të kaluar për shërimin e së cilës kishte kërkuar ilaç jashtë vendit, saktësisht në Gjermani.
Por kontrollet e terapitë rreth gjendjes së tij, lideri i LDK-së po i vazhdon ende.
Gazeta ka arritur të bisedojë me mjekun personal të Isa Mustafës, doktor Halil Krasniqi. Ai ka treguar se Mustafa ka qëndruar në Gjermani gjatë javës së kaluar ku i është nënshtruar një sërë kontrollesh e terapish për ta përmirësuar gjendjen e tij shëndetësore.
“Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës z. Prof. Isa Mustafa, ishte javën e kaluar për arsye shëndetësore në klinikën time për 3 ditë. Të gjitha ekzaminimet klinike neuromuskulore dhe vaskulare ishin në norma fiziologjike me një përmirësim të vazhduar”, ka deklaruar ai.
Por gjendja shëndetësore e Isa Mustafës nuk po paraqet asnjë problem që ai t’ia mësyjë edhe një herë garës për ta rimarrë timonin e partisë që dikur po e udhëhiqte presidenti Ibrahim Rugova. Madje për këtë dje ka dhënë indikacione të qarta, të njëjtën ditë këtë gjë e bëri edhe rivali i tij Fatmir Sejdiu.
Ani se terapitë, Mustafa do të duhet që t’i vazhdojë edhe për një kohë. Kështu po sqaron mjeku Krasniqi.
Specialisti i Kirurgjisë së Përgjithshme në Gjermani, Dr. Med. Halil Krasniqi, thotë se pacienti në fjalë, pra Isa Mustafa, do të jetë i obliguar që të paktën edhe për një kohë t’i vazhdojë ekzaminimet e terapitë fizioterapeutike.
“Gjendja shëndetësore e Prof. Isa Mustafës aktualisht është e mirë dhe duke u bazuar në anamnezën e sëmundjes së deritanishme janë ekzaminuar përmirësime të dukshme. Udhëzojmë që të vazhdojë fizioterapia e deritanishme”, sqaron për gjendjen shëndetësore mjeku Halil Krasniqi që operon në qendrën kompetente të rehabilitimit fizioterapeutik, “Helios”, e cila gjendet në qytetin jugperëndimor, Pforzheim, të Gjermanisë.
Kujtojmë se Isa Mustafa ishte shtrirë në klinikën ku Krasniqi punon, pas ftohjeve respiratore që kishte pasur e të cilat nuk i kishte trajtuar me kohë. Si pasojë e kësaj, gjendja shëndetësore e Mustafës sipas doktorit manifestohej me dobësim të aftësive lëvizëse të motorikës dhe muskulaturës.
“Ne jemi shumë të lumtur me sukseset avancuese në kthimin e funksionalitetit muskulor në tërësi. Këtë përmirësim fiziologjik edhe e kemi pritur nga trajtimi i deritanishëm ngase klinika e përgjithshme, është mjekuese”, kishte thënë doktori që po e trajton Isa Mustafën në Gjermani.
Në muajin janar të vitit 2018, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë.
Lideri aktual i LDK-së ka mbajtur pozita të larta në hierarkinë komuniste para viteve të 90-ta. Pastaj është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil. Pas luftës ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike, si në Bordin e UP-së. Një kohë ka shërbyer si këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2010 ka marrë pozitën e kryetarit të LDK-së.
Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit.