Mbi 2380 ndërmarrje janë privatizuar deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), përkatësisht 769 ndërmarrje të reja dhe 1615 asete të likuidura, përderisa për pak prej tyre ka pasur interesim nga investitorët e huaj.
Bazuar në statistikat e dërguara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nga fillimi i procesit të privatizimit (2002) e deri më tani (2024), 2345 blerje janë realizuar nga shtetasit e Kosovës, përderisa veç 39 blerje janë realizuar nga shtetasit e huaj.
Sipas këtyre statistikave, 10 privatizime janë realizuar nga shtetasit e Zvicrës, 6 privatizime nga shtetasit e Gjermanisë, 5 privatizime nga shtetasit e Shqipërisë, 4 privatizime nga shtetasit e Amerikës, nga 2 privatizime janë bërë nga shtetasit e Holandës, Austrisë, dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga 1 privatizim është bërë nga shtetasit e Belgjikës, Dubait, Francës, Greqisë, Japonisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Turqisë.
Për shitjen e të gjitha këtyre ndërmarrjeve shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka grumbulluar rreth 770 milionë euro, prej të cilave 668 milionë euro kanë privatizuar shtetasit e Kosovës dhe mbi 100 milionë euro kanë privatizuar shtetasit e huaj.
Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë se procesi i privatizimit në Kosovë ka pasur disa sfida që, siç thotë ai, kanë ndikuar në mos tërheqjen e investitorëve të huaj në masën e pritur.
“Së pari, një nga faktorët kryesorë ka qenë mungesa e stabilitetit ligjor dhe politik gjatë periudhës së pasluftës, gjë që ka krijuar pasiguri për investitorët ndërkombëtarë. Për më tepër, problemi me pronësinë e qartë të aseteve dhe çështjet e komplikuara ligjore rreth tyre kanë penguar shumë investitorë të mundshëm. Po ashtu, mungesa e infrastrukturës së zhvilluar dhe tregut të kufizuar kanë qenë pengesa të tjera për investimet e huaja direkte”, shprehet Mulaj.
Nga ana tjetër, sipas tij, fakti që vetëm një numër shumë i vogël i aseteve janë privatizuar nga investitorë nga Amerika, Franca dhe Gjermania tregon për një interes të ulët të këtyre vendeve, ndoshta, siç thotë ish-ministri i Tregtisë, për shkak të konkurrencës nga tregjet e tjera në rajon, ku mundësitë për investime janë më të favorshme dhe më të sigurta.
Ai shprehet se procesi i privatizimit nuk ka qenë gjithmonë transparent dhe shpesh ka qenë subjekt i kritikave për mënyrën se si është menaxhuar, çka ka rritur mosbesimin e investitorëve potencialë. Gjithashtu, politikat e privatizimit, sipas tij, kanë qenë të fokusuara kryesisht në transformimin e pronës shoqërore dhe arritjen e çmimit më të lartë në shitje, duke lënë në plan të dytë planet investuese, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese.
“Prandaj, për të përmirësuar situatën dhe për të tërhequr më shumë investime nga jashtë, Kosova duhet të fokusohet në përmirësimin e kornizës ligjore, rritjen e transparencës dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke u bërë kështu një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”, pohon Mulaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më pare ka publikuar një raport të ri të ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times që tregon se Kosova renditet e dyta në Evropë dhe e pesta në botë për zhvillim ekonomik.
Sipas këtij raporti, Kosova gjithashtu renditet e katërta në botë për përmirësim nga viti në vit për periudhën 2022-2023. Kurti e ka përdorur këtë raport për të theksuar përparësitë e Kosovës si një destinacion tërheqës për investitorët e huaj dhe për të nënvizuar progresin demokratik dhe ekonomik të vendit.
Megjithatë statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk flasin për rritje kaq të madhe të investimeve të huaja direkte në Kosovë e as orientimin e tyre në sektorin e prodhimit.
Sipas BQK-së, nga 214 milionë euro Investime të Huaja Direkte (IHD) për tre muajt e parë të këtij viti, 142 milionë euro kanë qenë të orientuara në sektorin e patundshmërive, apo rreth 66.1% të gjithsej IHD-ve. Investimet në patundshmëri në Kosovë bëhen kryesisht nga diaspora.
Megjithatë, ky raport ka shkaktuar një valë kritikash dhe është vlerësuar si i pasaktë dhe i paqenë.
Deputeti Ferat Shala nga radhët e PDK-së ka akuzuar Kryeministrin Kurti për mungesë të shifrave konkrete dhe për emra të investitorëve që do të dëshmonin zhvillimin e vërtetë ekonomik. Sipas Shalës, raporti është një pjesë e fushatës paraelektorale dhe përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë të suksesit, duke fshehur dështimet dhe mungesat reale në projektet e zhvillimit dhe investimeve kapitale. Ai ka theksuar se raportet dhe deklaratat e tilla janë të paqena dhe nuk reflektojnë situatën aktuale të ekonomisë kosovare.
*Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.