Avokati serb, Pregrad Saviq, ka thënë se në mesin e ish-anëtarëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen për krime lufte, do të jetë i ftuar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Ky i fundit ju kundërpërgjigj menjëherë avokatit serb duke thënë se nuk është subjekt i asnjë procesi gjyqësor.
Ndaj pretendimeve të avokatit serb, ka reaguar edhe Pal Lekaj i AAK-së i cili e ka quajtur një propagandë të ndyrë dhe të panevojshme e Serbisë, shkruan Reporteri.net.
Lekaj përmes një postimi në Facebook ka postuar videon ku Haradinaj shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Hagës dhe thotë se tendencat e Serbisë janë të kota.
Ai ndërkaq thotë se çlirimtarët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.
Postimi i Lekajt:
LUFTA E NDYTË E SERBISË
Turp, turp!
Është për keqardhje kjo propagandë e ndyrë dhe e panevojshme e Serbisë, kinse kryetarit të AAK-së z. Haradinajt i është konfirmuar akuza. Haradinaj është mbajtur me vite i burgosur pa të drejtë. Ai ka mbrojtur luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e ka dëshmuar disa herë se luftëtarët e UÇK-së janë çlirimtarë.
Këto tendenca për të na shqetësuar janë të kota.
Çlirimtarët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.
Liria ka emër – UÇK