×
  • Lajme
  • Lajme

    Pal Lekaj: UÇK nuk ka bërë luftë fetare, unë së pari jam shqiptar e pastaj katolik, feja ime është shqiptaria

    Reporteri
    06 Nëntor 2020 | 19:54

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj i cili i përket besimit katolik ka reaguar pasi që në aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ata akuzohen edhe për vrasjen e katolikëve, shkruan Reporteri.net. Sipas tij UÇk-ja nuk ka bërë luftë fetare.


    Lekaj ka thënë se për të i pari është kombi e pastaj feja.

    Ky është postimi i plotë i deputetit Lekaj:

    UÇK-ja u ngrit dhe luftoi si përfaqësuese e një populli të shtypur, të keqtrajtuar, të dhunuar për dekada nga regjimi serb i Sllobodan Milloshevicit. UÇK-ja luftoi për lirinë e një populli të cilin makineria vrastare e Beogradit, kishte vendosur ta shfaroste në baza etnike. UÇK-ja nuk u krijua dhe nuk luftoi kurrë në baza fetare, pavarësisht nga përpjekja për ta ngjyrosur me një akuzë të tillë monstruoze.

    Populli i Kosovës u shtyp dhe u dhunua nga falangat e Beogradit jo sepse ishin myslimanë apo katolikë, por sepse ishin dhe janë shqiptarë. UÇK-ja luftoi kundër mizorisë serbe, jo për shkak të fesë së tyre, por sepse ata pushtuan, dhunuan, vranë, dogjën, shkatërruan, dhe e detyruan një popull të kapte armët për t’u vetëmbrojtur.

    Harmonia ndër-fetare tek shqiptarët është një nga vlerat më të veqanta që askush dhe askund nuk mund ta prekë dhe ta cënojë. Feja e shqiptarit është Shqiptaria! Kombi ynë jeton dhe ka mbijetuar në shekuj me këtë motiv! Feja jonë është liria, pavarësia, drejtësia, e vërteta, paqja. Unë së pari jam shqiptar, dhe pastaj katolik.

    Përpjekja për të futur një përqarje të tillë, dhe aq më keq, për të akuzuar UÇK-në dhe njerëzit e saj për keqtrajtime dhe krime mbi baza fetare, siç përmendet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, është e pasaktë, dashakeqe dhe ngjan me propogandën serbe para, gjatë dhe pas luftës.

    UÇK ishte dhe mbeti një organizim shqiptar kundër operacioneve për shfarosjen e shqiptarëve, nga regjimi i Milloshevicit dhe atyre që e mbështetën atë. Nuk kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë që ky organizim i shenjtë që na sjelli lirinë dhe pavarësimin e Kosovës, të njolloset me akuza të tilla të pabaza dhe skandaloze. Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, është ngritur mbi vlera që u formësuan në kohë të vështira kur jeta luftonte me vdekjen, dhe këto vlera janë të paprekshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!