Naim Murseli, i akuzuari kryesor në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, është shfaqur në publik duke u shoqëruar nga zyrtarët policorë për në gjykatë.
Murseli dhe të tjerët, të akuzuar për vrasjen e Ademajt, sot do të mbajnë seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ata pritet të deklarohen lidhur me fajësinë e tyre.
Të mërkurën e 15 janarit, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dedajt.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore, shkruan Reporteri.net.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se presin nga gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
“Sa i përket cilësimit të kësaj vepre penale është cilësuar si “Vrasje penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake dhe si e tillë presim nga gjykata një dënim kapital. Kemi arritur në mënyrë profesionale të sigurojmë të gjitha provat dhe presim epilogun në gjykatë”, tha Gashi.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.
/Reporteri.net/