×
  • Lajme
  • Lajme

    Pamje se si të dyshuarit nën kërcënimin e armëve grabitën pompën e derivateve në Prizren

    Reporteri
    24 Nëntor 2021 | 23:15

    Një ngjarje sikur në filma, persona të maskuar e të veshur me ngjyrë të zezë, me kallashnikov e pushkë gjuetie, të cilët tentojnë të kryejnë një grabitje në një argjendari, ka ndodhur më 15 nëntor në Prizren.

    Pasi kishin tentuar të grabisnin argjendarinë tre persona ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Pas vetes kishin lënë të plagosur dy persona me armët të cilat posedonin. Vendi i ngjarjes ishte rrethuar nga policia ndërsa kishte dalë edhe kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

    Të dyshuarit pasi ishin larguar nga vendi i ngjarjes ishin nisur drejt Suharekës për të përfunduar më pas në autostradë.

    Para se të hynin në autostradë ata kishin ndaluar, kishin grabitur një veturë të një kalimtari e më pas ishin nisur drejt një pompe të derivateve.

    Atje të njëjtit sërish nën kërcënimin e armëve grabisin bidonë me benzinë dhe kthehen në vendin ku kishin parkuar veturën me ngjyrë të zezë me xhama të errësuar.

    Të njëjtës veturë i vënë flakën e më pas me veturën tjetër të grabitur me ngjyrë të kuqe nisen drejt autostradës.

    KALLXO.com në emisionin e sotëm sjell pamje të grabitjes që të dyshuarit e kanë kryer në pompën e derivateve.

    Në pamje shihen se të dyshuarit janë të pajisur edhe me jelekë antiplumb ndërsa në duar mbajnë armët e gjata automatike.

    Nën kërcënimin e armëve detyrojnë pronarin e një pompe të derivateve të mbushin një bidon me benzinë të cilën më pas e përdorin për të djegur veturën.

    “Ata pas ngjarjes shkojnë në drejtim të Suharekës, në një lokacion të caktuar e lënë veturën – nuk e dimë arsyen se pse është lënë vetura, kanë dalë në rrugë e kanë ndaluar një veturë një qytetar kalimtar e detyrojnë me forcë dhe presion të armëve me dalë nga vetura. Grabisin veturën shkojnë në një pompë të derivateve marrin benzinë kthehen e djegin veturën dhe largohen në drejtim të Suharekës”, tregon kryeprokurori Admir Shala.

    Të dyshuarit sipas Shalës kanë sulmuar me armë edhe Policinë.

    “Policia i është vënë në ndjekje, një patrullë është ballafaquar me të dyshuarit, këta gjuajnë në drejtim të Policisë dhe arrijnë që të largohen, t’i shmangen patrullës së Policisë normalisht duke përdorur edhe gjuajtjet me armë të gjata”, vazhdon të tregojë Shala.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!