Arrestime e bastisje kanë ndodhur tre ditë pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi në Prizren më 15 nëntor.
Hetimet intensive të Prokurorisë dhe Policisë arritën të identifikonin disa persona të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në grabitjen dhe plagosjen e dy personave në Prizren.
KALLXO.com po transmeton pamje ekskluzive të arrestimit të të dyshuarve ndërsa kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, tregoi se si u zbulua grupi.
“Policia së bashku dhe unë kam dalë në vendin e ngjarjes dhe janë siguruar të gjitha provat nga vendi i ngjarjes për të identifikuar të dyshuarit. Së bashku me Policinë dhe prokurorin e rastit kemi punuar maksimalisht për të identifikuar të dyshuarit. Në bazë të identifikimit të veturës kemi siguru prova të mjaftueshme se kush e ka përdorur, nga kush është blerë dhe kemi arritur që të identifikojmë të dyshuarit që dyshojmë se kanë kryer veprën penale”, tregon kryeprokurori Shala.
Njëri nga të dyshuarit për rastin e Prizrenit, dy ditë më parë kishte blerë një veturë të cilën më pas ia kishte dhënë të dyshuarve tashmë të arrestuar Leutrim Latifi dhe Ibrahim Qadraku.
R.F., sipas Prokurorisë dyshohet se ka qenë në dijeni se Latifi e Qadraku do të kryenin veprën penale të grabitjes mbrëmjen e 15 nëntorit në mënyrë të armatosur e të maskuar.Të mërkurën e javës që kaloi, hetuesit policorë së bashku me pjesëtarë të Njësive Speciale kishin marrë urdhër për bastisje dhe arrestim të personave të dyshuar.
Në pamjet e transmetuara shihen se si zyrtarët policorë në orët e hershme të mëngjesit nisën drejt lokacioneve të caktuara për të zhvilluar aksionet.
Nga tri lokacione që u kontrolluan, u arrestuan tre persona. Njëri nga të dyshuarit, Leutrim Latifi, nuk u gjet në shtëpinë e tij.
Informacionet shtesë dërguan Policinë në zonën malore të Liqenit të Batllavës ku dyshohej se ishte Latifi.
Brenda një shtëpie ai u arrestua ndërsa u kryen kontrolle edhe në veturën e tij.
Qadraku e Latifi sipas kryeprokurorit Shala nuk kanë dosje penale për ndonjë vepër penale të ngjashme në Prizren.
Të dy të lartëpërmendurit janë recidivistë të veprave penale dhe disa herë kanë pasur incidente me Policinë ngjashëm sikurse në Prizren.
Kryeprokurori Admir Shala tregon se deri më tani kanë arritur të kenë prova për të cilat ngarkohen me veprat penale të arrestuarit e deritanishëm.
“Në bazë të atyre çka po ndodhin sepse e dini që menjëherë të nesërmen kanë ndodhur edhe dy grabitje, ndoshta duhet ndalur dhe shikuar, policia në tërësi së bashku me prokurorinë, strategjinë e luftimit të këtyre veprave mjaft komplekse që duhet ndryshuar diçka sepse me të vërtetë diçka këtu jemi duke çaluar. Nuk tolerohet që grabitësit të largohen aq shpejt nga lokacionet dhe ndoshta duhet diçka të ndryshohet dhe duhet të organizohemi të gjithë së bashku që të shohim mangësitë në sistem”, thotë kryeprokurori Shala.
Një person i cili ishte arrestuar katër ditë më parë dyshohet se ka kryer veprën penale ndihmë në grabitje.
Kjo pasi që i njëjti po dyshohet se së bashku me Leutrim Latifin ditën e diel kanë blerë maska e dorëza të zeza në një qendër tregtare në Prishtinë.
Të njëjtat materiale dyshohet se janë përdorur për ngjarjen e së hënës së 15 nëntorit ndërsa i dyshuari me veturën personale të Leutrim Latifit i ka marrë të dyshuarit të hënën në fshatin Murg të komunës së Skenderajt.