Pandemia bëri që numri i udhëtarëve në ANP ‘Adem Jashari’ gjatë vitit 2020 të ulet për 53%

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020 ka shërbyer mbi një milion udhëtar, numër i cili është 53% më i ulët se në vitin 2019, kur ishin shërbyer mbi 2 milionë udhëtarë.


Përmes një njoftimi nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, bëhet e ditur se kjo ka ndodhur si pasojë e pandemisë së krijuar nga virusi SARS CoV-2, shkruan Reporteri.net.

Muaji i vitit 2020 që kishte numrin më të lartë të udhëtarëve ishte janari me afro 200 mijë udhëtarë, e që pasohet nga muaji shkurt me afër 170 mijë udhëtarë.

Ky është njoftimi i plotë:

ANP “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 1,104,435 udhëtarë në vitin 2020, 53% më pak se në vitin 2019

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 1,104,435 udhëtarë në vitin 2020, sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA. Ky numër udhëtarësh është 53% më i ulët se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2019 (2,373,698). Kjo si pasojë e pandemisë së krijuar nga virusi COVID-19, e cila ka shkaktuar krizën më të madhe në historinë e aviacionit. Mirëpo, duhet theksuar që përkundër krizës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka qenë i dyti me më së shumti udhëtarë në rajon, duke kaluar aeroportet si atë të Zagrebit, Splitit dhe Dubrovnikut.

Muaji janar ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 183,472 udhëtarë, që pasohet nga muaji shkurt me gjithsej 167,148, ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajve prill, maj dhe qershor me mbi 95% rënie të numrit të udhëtarëve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar 4,651 nisje fluturimesh, apo 49% më pak se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt janar dhe tetor, me 684 dhe 597 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji prill kishte më së paku nisje fluturimesh, 29.

Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli (BSL/MLH), Shtutgarti, Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Suedia, Austria e kështu me radhë. Prej kompanive ajrore, prin Euroëings me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Ëizzair, Air Mediterranean, EasyJet, Chair Airlines, Edelëeiss, e kështu me radhë.

Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Frankfurti, Kopenhaga, Londra (Heathroë), Çikago (O’Hare), Helsinki dhe Brukseli.

Grafet me statistikat e plota të trafikut ajror gjatë vitit 2020 do të publikohen në faqen zyrtare të AAC-së në internet. /Reporteri.net