Gazetari Ermal Panduri përmes një postimi në Facebook ka shkruar se zyrtarët e Qeverisë po bëjnë presion tek drejtuesit e KOSTT-it për rrjedhjen e informacioneve për skandalin e energjisë, e gjitha kjo sipas tij pasi u zbuluan dokumentet, email-at, nënshkrimet dhe lidhjet familjare që ekspozojnë kapjen brutale të KOSTT-it, shkruan Reporteri.net.
Autori i “Debat Plus” thotë se në vend që të përgjigjen për garancionet milionëshe për privatë, për ndërhyrjet nga kabinetet ministrore, për familjarët që ia aprovojnë njëri-tjetrit letrat brenda shtetit, “po hetohet kush guxoi me fol”.
Postimi i tij i plotë:
SKANDAL PAS SKANDALI!
Pasi u zbuluan dokumentet, email-at, nënshkrimet dhe lidhjet familjare që ekspozojnë kapjen brutale të KOSTT-it, tani ndodh edhe më keq:
Zyrtarë të Qeverisë po thërrasin drejtues të KOSTT-it për t’i marrë në pyetje pse kanë rrjedhur informacionet!
Po, në vend që të përgjigjen për garancionet milionëshe për privatë, për ndërhyrjet nga kabinetet ministrore, për familjarët që ia aprovojnë njëri-tjetrit letrat brenda shtetit – po hetohet kush guxoi me fol!
Ky nuk është shtet. Kjo është ndjekje politike ndaj të vërtetës.
Për ata që na sinjalizuan: Jeni në anën e drejtë të historisë.
Për ata që po bëjnë presion: Frika ju ka kapur, jo KOSTT-i. Aty e kishit veç kontrollin.
Në këtë luftë, e vërteta ka një çmim. Por ka edhe forcën me rrëzu çdo gardh që keni ndërtu me heshtje e frikë!