Dy nënkryetarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu dhe Vjosa Osmani tash e gjashtë muaj kanë nxjerrë në pah përçarjet mes tyre, e ndoshta edhe brenda grupeve në këtë parti, shkruan Reporteri.
Këto përplasje, ani pse fliteshin se ekzistonin qysh moti, sidomos kur Osmani kishte ambicie për kryetare të LDK-së, u shpërfaqen më shumë pas zgjedhjeve të fundit. Teksa negociohej me Vetëvendosjen, Veliu e Osmani kishin përplasje në distancë për qasjen ndaj VV-së. Mospajtimet mes tyre kanë eskaluar edhe këto dy ditë.
Në një intervistë për KTV-në, Osmani dje e konsideroi Veliun si personin që nuk e dëshironte këtë koalicion dhe që ndihmoi që kjo ‘qeveri e shpresës’ të rrezohej. Ajo iu përgjigj edhe deklaratës së tij të mëhershme se ‘nëse Vjosa Osmani vazhdon të punojë kundër LDK-së’, meqë kishte votuar kundër mocionit, atëherë s’kishte pse qëndronte në LDK.
“Përkundër faktit që nuk kishin garuar në zgjedhjet e 6 tetorit, e kishte refuzuar kandidimin, dhe tani u bë zëri kryesor për koalicion.
Por, kur u arrit një marrëveshje e tillë, ajo që i pengoi themelet është kundërshtimet e mëdha në negociata, dhe ata që ishin kundër për këtë koalicion, tani e donin rolin kryesor. Ai (Agim Veliu) e ka thënë shumë herë edhe brenda strukturave se kjo do të jetë e shkurtë. Nëse je kundër një qeverie, nëse e kundërshton partnerin në qeverisje pse duhet të jesh ti aty. Për mu është përtej imagjinatës njerëzore. Ndryshe është për deputetin. S’ka asnjë kuptim të jesh në qeveri dhe çdo natë të flasësh për rrëzimin e saj, e këtu e kam fjalën edhe për intervistat e zotit Hoti. Kjo ka nxitur tensione me pas. Ata që ma tregojnë derën e më thonë se e kam tradhtuar LDK, le ta provojnë dhe do ta shohim, kush do të dalë i pari nga ajo derë”, tha Osmani në emisionin “Desku” në KTV, shkruan Reporteri.net.
E sot ju përgjigj edhe Veliu, me një shkrim të gjatë: “Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë. Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës”, tha ai ndër të tjera.
Por, para 6 muajve, të dytë ose shtireshin ose vërtetë e respektonin njeri-tjetrin. Tri ditë para zgjedhjeve, LDK mbajti tubim në Podujevë. Aty kryetar dege e komune ishte, Agim Veliu. Në videon e tubimit, në faqen e Vjosa Osmanit gjeni fjalimet e të dyve. Ne kemi shkëputur vetëm pjesët për njeri-tjetrin, shkruan Reporteri.net.
Agim Veliu për Vjosa Osmanin:
“Vjosa Osmani kryeministre e ardhshme dhe kjo listë deputetësh të LDK-së nuk vijnë tek ju me zhurmë e me imponim. Vijnë të vendosur e të përgatitur për ta udhëhequr shtetin dhe me dashuri për atdheun. Kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës. Duam një kryeministre në kuptimin e plotë të fjalës e ajo vjen nga Lidhja Demokratike, ajo është sot këtu me ne, Vjosa Osmani. LDK dhe kandidatja jonë për kryeministre kanë nevojë për mbështetjen tonë të secilit prej nesh”.
Vjosa Osmani për Agim Veliun:
“Shumë i nderuar kryetar, kryetar i degës Agim Veliu, e dashur e zonja Veliu…Presidenti Rugova thoshte ‘lidhja jonë është e fortë e nuk shprishet’. Sepse lidhja jonë është e bazuar në besim. Edhe ata që sot tentojnë që me shpifje, mashtrime të pavërteta e me montime ta përçajnë LDK-në kanë me dalë më të dëshpëruar se kurrë…Ne i kemi edhe këto tri ditë, për t’i treguar gjithë botës, jo vetëm Kosovës se sa të mishëruar me frymën rugoviane jemi që 30 vjet, që tri dekada, për t’i treguar botës se sa fortë mund të mobilizohet, Llapi dhe e gjithë Kosova. Se si jemi besatuar me njeri-tjetrin, sikur në kohen e presidentit tonë historik dhe siç bënin bashkëpunëtoret e tij më të ngushtë, llapjanët tuaj të mirë, llapjanët që kurrë nuk u larguan nga ai, duke filluar nga kryetari i komunës suaj, nga këshilltari i tij i afërt Xhemajl Mustafa..” /Reporteri