Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Bosnjë e Hercegovinë është takuar me ekipin komandues të EUFOR-it, para se të nisej për në Kosovë.
Në mes të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të Republikës Srpska, Rutte tha se kjo forcë është e përgatitur për të mbajtur një mjedis të sigurt.
“EUFOR është plotësisht i përgatitur për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në BiH”, ka thënë Rutte, siç njofton EUFOR në një postim në Facebook.
“Sot, në kampin Butmir, ekipi komandues i #UFOR në takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. Gjatë diskutimeve zyrtare, gjeneralmajori Florin-Marian Barbu theksoi se në terren ka bashkëpunim të ngushtë ndërmjet EUFOR-it dhe NATO-s në Bosnje-Hercegovinë”.
EUFOR është misioni paqeruajtës i Bashkimit Europian në Bosnje e Hercegovinë dhe i ka rreth 1500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.