×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykata Themelore

    Paraburgim ndaj policit të dyshuar për keqtrajtim të qytetarit në Prizren

    Reporteri
    18 Qershor 2025 | 17:50

    Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj zyrtarit policor Remzi Pulaj, i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim të rëndë trupor.

    Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për drejtësi“, Marcel Lekaj, zëdhënës i kësaj Gjykate, i cili tha se masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit mund të zgjasë deri më 15 korrik 2025.

    Në përgjigjen e Lekajt thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresat e lëndës dhe provat materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e e paraburgimit është e bazuar.

    Ai tha se Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke u mbështetur nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

    “Caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm me qëllim të sigurimit të prezencës së pandehurit në fazën hetimore, pasi që është faza fillestare e hetimit, dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë , kështu do të pengonte dhe vështirësonte sigurimin e provave në fazën hetimore. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të verpave penale, mënyrën në të cilën dyshohet të jetë kryer veprat penale, ashtu që me sjelljet e tij dyshohet se ka tejkaluar autorizimet ligjore në dëm të shoqërisë, ku me rastin e arrestimit të të dëmtuarit në këtë proces S.F., e ka keqtrajtuar ku me rastin e goditjeve në regjionin e kokës, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, të gjitha këto e bindin Gjykatën se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i nevojshëm”, thuhet në përgjigje.

    Me këto, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurën hetimore, dhe rrjedhës së pa penguar të fazës hetimore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!