×
  • Lajme
  • Lajme / 15%

    Paralajmërimi për shtrenjtim, propozohet heqja e TVSH-së në faturat e rrymës dhe kthimi i milionave për veriun te konsumatorët

    Reporteri
    25 Mars 2025 | 9:53

    Instituti Atlas ka propozuar heqjen e TVSh-së si masë konkrete për të ulur çmimin e energjisë elektrike në Kosovë deri në 36 për qind gjatë viteve 2025 dhe 2026 dhe “të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri.”

    Propozimi vjen pas diskutimeve mbi rritjen e mundshme të të hyrave maksimale të lejuara nga ZRrE me 15 për qind.

    “Nëse ZRRE vendos të rrisë të hyrat maksimale të lejuara me 15%, Instituti Atlas kërkon nga Qeveria e Kosovës të heqë TVSh-në prej 18 për qind në faturat e energjisë elektrike dhe të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri. Zbatimi i këtyre masave do të ulte çmimin e rrymës me 36% gjatë viteve 2025 dhe 2026.” – thuhet në propozimin e Institutit Atlas.

     

    Duke nisur nga 1 prilli, qytetarët pritet që faturat për energjinë elektrike të konsumuar t’i marrin me rritje.

    Kjo pasi Zyra e Rregullatorit për Energjisë Elektrike ka propozuar rritjen e çmimit të rrymës për 15% nga muaji i ardhshëm.

    E kjo nuk është mirëpritur nga qytetarët në vend. Madje, këta, kanë nisur edhe një iniciativë në rrjetet sociale me moton “Asnjë cent më shumë”.

    Për pasojë ditën e djeshme u organizua një aksion para zyrave të ZRRE-së kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për 15%, e që e njëjta pritet të mbahet edhe sot. Ata kanë paralajmëruar se nëse institucionet e vendit nuk zmbrapsen nga ky vendim atëherë priten edhe protesta gjithë-popullore. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!