Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rritjen e çmimit të rrymës me 15% nga 1 prilli, duke e cilësuar këtë si një goditje të rëndë për qytetarët e Kosovës dhe ekonominë e vendit.
“Albin Kurti e shkatërroi sektorin e energjisë me vendimet e tij të papërgjegjshme. Me krenari e pati anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri, duke i humbur Kosovës 21 milionë euro dëm në arbitrazh. E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës!” – ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se në kohën kur qytetarët po përballen me krizën ekonomike dhe rritjen e çmimeve të produkteve esenciale, Qeveria po i dëmton edhe më shumë me rritjen e tarifave të energjisë.
“Kjo qeveri është e paaftë dhe e rrezikshme. Prandaj Kosova ka nevojë për një udhëheqje që i mbron qytetarët, e jo që i dëmton ata,” – përfundon Haradinaj.
Në një njoftim të javës së kaluar, ZRRE bëri të ditur se pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë përreth 15 për qind nga 1 prilli.
Rregullatori i energjisë tha se bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të tjerë 15 për qind dhe ftoi konsumatorë për konsultim publik.
Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje.
“Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat. Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15 %”, njofton Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
/Reporteri.net/