Dy persona të cilët janë prezantuar si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me rroba civile, të enjten rreth orës 18:00 kanë shkuar në shtëpinë e një banori në fshatin Vranidoll të Prishtinës. Sipas këtij të fundit, pa ndonjë urdhër të gjykatës, këta dy persona që i janë prezantuar si policë kanë tentuar t’ia marrin veturën e tij, duke u thirrur në konfiskim.
Bekim Reçica nga Vranidolli i Prishtinës thotë se të enjten, në mbrëmje, dy persona u paraqiten në shtëpinë e tij. Ai pohon për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se ata iu prezantuan si Policë të Kosovës, dhe pretenduan se kanë shkuar për t’ia konfiskuar veturën e tij ‘Audi’.
Sipas Reçicës, të njëjtit nuk kishin me vete as ndonjë urdhër nga gjykata, ndaj ka refuzuar t’ua japë veturën.
Ai thotë se nuk është në dijeni se pse ka ndodhur ky rast. Madje Reçica, duke folur për Reporteri.net një veprim të tillë e quajti tentim plaçkitje.
“Ata kanë hy ilegalisht në pronën time dhe kanë provu plaçkitjen e veturës. Kanë cenuar pronën private”, thotë ai në bisedën për Reporteri.net, duke shpjeguar aksionin e ndërmarrë nga dy “policët”, emra të njohur për redaksinë.
Reçica ka treguar se dy personat e prezantuar si policë, pas refuzimit të tij për t’ua dhënë veturën, dhe me tu njoftuar Gazeta Online “Reporteri.net” për rastin, janë larguar nga prona e tij.
Reporteri.net ka kontaktuar me Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës por, ata nuk janë në dijeni të rastit.