×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Partia e Drashkoviqit paralajmëron se në Kosovë mund të shpërthejë lufta nëse konflikti vazhdon

    Reporteri
    18 Maj 2019 | 15:17

    Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe (SPO),  e udhëhequr nga Vuk Drashkoviq përmes një deklarate për media ka thënë se mbështet përpjekjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të gjetur një zgjidhje të përhershme me ndihmën e Bashkimit Evropian për çështjen e Kosovës, e cila do të garantojë paqe dhe mbrojtje të plotë për popullin serb në Kosovë.


    Kjo parti e cila është pjesë e koalicionit qeverisës po vlerëson se konflikti i ngrirë është në kundërshtim me interesat jetësore të Serbisë dhe popullit serb. Sipas partisë ky është si një “vullkan që mund të shpërthejë në çdo moment”, transmeton Reporteri.net.

    Tutje në deklaratën e partisë thuhet se moszgjidhja e problemit me Kosovën mund të nxisë shkëndijat e luftës jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve, por edhe në veriun e Maqedonisë dhe Bosnjë.

    “Konflikti i ngrirë është ngrirje e agonisë dhe rënies së Serbisë. Në çështje të tilla me interes kombëtar dhe shtetëror, mendja duhet të mbizotëroj mbi emocionet. Nuk duhet të udhëhiqemi nga injoranca dhe pasioni, edhe nëse ato na imponohen nga mazhoranca, por vendimet duhet të merren me mençuri në përputhje me afatgjatë interesat e Serbisë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e kësaj partie.

    Ndryshe kjo nuk është hera e parë që nacionalisti serb, i njohur për deklaratat e tij anti-shqiptare kërkon që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje ligjërisht obligative në mes Kosovës dhe Serbisë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!