×
  • Lajme
  • Lajme / "Kontroll mbi mediat online"

    Partia në pushtet s’tërhiqet nga projektligji për KPM-në, Kusari Lila: Shohim a ka lëvizje për tërheqje apo plotësim

    Reporteri
    28 Qershor 2024 | 12:35

    Gjatë së enjtes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, seancë kjo që u mbajt në një sallë tjetër për shkak të renovimeve, nuk kaluar propozimi i opozitës që projektligji për KPM-në të tërhiqet nga rendi i ditës. Nga partia në pushtet, sot, nuk kanë dhënë indikacione se do të tërhiqen nga ky projektligj ashtu siç iu kërkua, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Deputetë nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërin e Kosovës kanë debatuar se me kalimin e këtij projektligji, perspektiva e Kosovës mund të dëmtohet. Propozimi është bërë nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, mirëpo nuk ka kaluar në Kuvend.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila parti në pushtet, nga të cilët Asociacioni i Gazetarëve dhe Këshilli i Pavarur i Mediave kanë kërkuar tërheqjen e projektligjit, e ka lënë të hapur mundësinë pa dhënë fort sqarime.

    “Nuk është synimi në asnjë formë me u kontrollu ‘kontenti’ ose përmbajtja e mediumeve, është me u mbajt përgjegjësia e secilit për secilën përmbajtje. Në media online, ka përmbajtje… jo në aspektin politik, në aspektin edukativ ose propagandues të dëmshme, që kanë të bëjnë me pamje jo të mira të aksidenteve etj.. këto kanë qenë evidente vitet e fundit që nuk kanë të bëjnë me qeverinë por me shoqërinë. Prandaj këto kanë qenë disa prej çështjeve që ne kemi treguar gatishmëri me bisedu”, u shpreh Kusari Lila derisa ka konfirmuar se do ta votojë këtë projektligj.

    “Po unë do ta votoj! A ka hapësirë me u ndryshu… Mbetet të shihet kur mbahet seanca e radhës e do të ketë edhe një lëvizje në tërheqje ose në plotësim të këtij ligji”, u shpreh Kusari Lila në një trajnim ku ajo u ftuar nga NDI, organizatë joqeveritare, raporton Reporteri.net nga ky trajnim.

    Gjatë së enjtes, në një konferencë për media, kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë kritikuar projektligjin për KPM-në duke bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga ky projektligj

    Kusari tha se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.“ Kërkesa të njëjta pati edhe Rexha, i cili po ashtu ftoi opozitën të ketë zë më kritik kundër projektligjit.

    “Kemi parë edhe gjatë diskutimeve që janë bërë për Komisionin e Pavarur të Mediave që nuk ka pasur interesim të opozitës për të qenë pjesë, shpesh ata kanë munguar. Nuk kemi parë interesim të tyre për të ngritur zërin kur është dashur”, tha Rexha.

    Rexha dhe Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në, në të kundërtën do të zvogëlohet pluralizmi medial

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në anën tjetër, tha se nuk janë marrë parasysh komentet e saj për tri projektligjet, që ishin planifikuar të dalin në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës të enjten.

    Komentet, tha BE-ja, synojnë të përmirësojnë këto projektligje dhe sigurojnë që të jenë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

    “Komisioni Parlamentar [për Administratë Publike] nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil”, tha BE-ja.

    Çka parasheh Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media, sqaron AGK

    Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

    Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.

    “Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.

    Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare./Reporteri.net/.

    Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE: Projekligji për KPM-në rrezikon lirinë e shprehjes dhe të mediave

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!