×
  • Lajme
  • Lajme

    Partitë të gatshme për zgjedhje, mohojnë se po bëjnë fushatë

    Reporteri
    17 Prill 2019 | 22:03

    Partitë politike parlamentare, kryesisht ato më të mëdha, kanë shpeshtuar takimet me elektoratin e tyre ditëve të fundit.


    Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë thonë se aktivitetet e tyre në javët të fundit, nuk kanë të bëjnë me natyrën e ndonjë fushate zgjedhore, por me aktivitetet e brendshme të partive politike.

    Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se partia e tyre, qe një vit ka hyrë në proces zgjedhor dhe veprimet e tyre nuk kanë të bëjnë më fushata zgjedhore.

    “Krejt ajo çka është duke ndodhur është në kuadër të atij procesi që është legjitim dhe i paralajmëruar shumë më herët. Normal që partitë e opozitës kanë më shumë premisa të asaj që mund të quhet dëshirë dhe vullnet për zgjedhje të reja, ndërsa për PDK-në është proces i zakonshëm”, tha Reçica.

    Kurse, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës thonë në vazhdimësi se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet dhe sipas tyre vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

    “Dëshmia më e qartë e mungesës së legjitimitetit shihet në Kuvend, ku pikat e papërfunduara sillen nga një seancë në tjetrën nga qershori i vitit të kaluar. Ata që në zgjedhje të lira fitojnë besimin e qytetarëve për të udhëhequr me Kosovën, të njëjtit duhet ta përfaqësojnë Kosovën në dialogun me Serbinë”, ka shkruar në Facebook, shefi u Grupit i parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, shkruan REL.

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është duke zhvilluar zgjedhjet e brendshme në të gjitha degët e saj.

    Ndërsa, Fitore Pacolli, deputete nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, tubimet e ndryshme me qytetarë në komuna të Kosovës i arsyeton, siç thotë ajo, për t’u mbrojtur shteti nga vjedhjet dhe korrupsioni që po i bëhen vendit nga partitë në pushtet.

    “Nuk është fushatë e heshtur është një cikël i takimeve me qytetarë ku ne ftojmë qytetarët bashkë më shoqërinë civile që t’i japim fund PAN hajnisë. Kjo qeveri e cila udhëhiqet nga një grup i partive politike, të cilat vjedhin shtetin, të ardhurat e qytetarëve të Kosovës duhet të shkojë sa më shpejt që është e mundur. Pra nuk është fushatë zgjedhore por është një fushatë goxha e zëshme kundër PAN hajnisë”, tha Pacolli.

    Ajo tha se Vetëvendosje është e gatshme që tani për një proces të ri zgjedhor.

    “Sa më larg që shtyhet ky proces aq më keq do të jetë për Kosovën”, tha Pacolli.

    Ndryshe, buxheti i Kosovës u ndanë më shumë se 4 milionë euro në vit partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

    Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

    Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në të shumtën e rasteve këto burime janë nga disa kompani private, të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga partia që e fiton pushtetin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!