×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    Pas 11 vitesh punë, jep dorëheqje zyrtarja e MPJD-së: Akuza se në Ministrinë e Gërvallës po avancohen veç servilët

    Reporteri
    22 Nëntor 2024 | 15:55

    Bukurie Bajraliu ka dhënë dorëheqje nga pozita e Zyrtares për Diplomaci Kulturore nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas 11 vitesh punë në këtë dikaster qeveritar.

    Në letrën njoftuese të dorëheqjes se saj, të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, ajo pretendon se në Ministrinë që drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz po avancohen vetëm servilët dhe nuk respektohet meritokracia.

    Bajraliu në letrën që për adresë ka sekretarin e MPJD-së, Ilir Muçaj pretendon se përkundër gradës dhe shkollimit, ajo nuk është avancuar brenda Ministrisë. Ka akuzuar Zyrën e Sekretarit se me vendime “diskriminuese dhe qesharake” janë përpjekur ta pengojnë zhvillimin e saj profesional.

    Tregon se në këtë institucion ka qenë e punësuar në këtë që nga vitit 2013.

    “…me kalimin e viteve kam kuptuar se servilizmi është vlerësuar këtu si kontribut thelbësor që mund të avancojë zyrtaren-zyrtarin në synimet profesionale “në të mirën e institucionit-shtetit”. E edukuar për të mos u përkulur para askujt në arritjen e synimeve të mia profesionale me veprime që nuk i dëmtojnë të tjerët, sikur që veprohet në MPJD, e që mjerisht këto veprime vlerësohen shkathtësi për avancim drejt diplomacisë me këtë këtë njoftim paraqes arsyet e dorëheqjes sime”, thuhet ndër tjera në njoftimin e saj të dorëheqjes.

    Para kalimit në ministrinë e Jashtme, Bukurie Bajraliu ka qenë gazetare në një nga mediumet nacionale në vend.

    Kjo është përmbajta e plotë dhe pa ndërhyrje e letrës:

    Përmes kësaj shprese nga sot më datë 15 nëntor 2024 paraqes zyrtarisht dorëheqjen time nga pozita Zyrtare për Diplomaci Kulturore nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, konform Ligjit të Punës, nenit 62, pika 2.

    E punësuar në këtë institucione që nga vitit 2013 me qëllim për të ofruar kontribut profesional, me kalimin e viteve kam kuptuar se servilizmi është vlerësuar këtu si kontribut thelbësor që mund të avancojë zyrtaren-zyrtarin në synimet profesionale “në të mirën e institucionit-shtetit”.

    E edukuar për të mos u përkulur para askujt në arritjen e synimeve të mia profesionale me veprime që nuk i dëmtojnë të tjerët, sikur që veprohet në MPJD, e që mjerisht këto veprime vlerësohen shkathtësi për avancim drejt diplomacisë, me këtë këtë njoftim paraqes arsyet e dorëheqjes sime e që janë si në vijim:

    Mos respektim i meritokracisë;

    Mos vlerësim i vazhdueshëm që nga angazhimi im në këtë institucion në vitin 2013 e deri tash, me gradë sekretare e tretë dhe me pozitë zyrtare edhe pse e mbi kualifikuar me përgatitje akademike

    Përpjekja për ta penguar zhvillimin tim profesional me vendime diskriminuese dhe qesharake nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, e të aprovuara nga imbecilët e KPMSHC-së.

    Shtoj se synimet e mia janë mbi gjithçka dhe mbi këdo në këtë institucion, që e bën gjumin duke menduar vetëm për udhëtime “zyrtare” me qëllim të mbushjes së portofolit e pastaj “bërjes diplomaci”

    Ju kujtoj se portofoli im, që është mendja ime e shëndoshë është super mjaftueshëm e mbushur nga puna me nderë, e jo nga ligësitë.

    Ndaj të gjitha këto vetëm se e kanë forcuar bindjen time në thënien e famshme të Johann Wolfgan von Goethe që thotë se “nuk ka gjë më të frikshme se injoranca në veprim”

    Unë jam gati për një kapitull të ri në jetën time! Por, po e përmbyllë këtë njoftim me thirrjen për reflektim nga ana juaj z.Muçaj ndaj padrejtësive në këtë institucione, sepse pozitat vijnë e shkojnë, njerëzillëku mbetet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!