Në adresë të rektoratit raportohet se u ka shkuar një e-mail, ku janë kërcënuar me bombë. Kjo i ka alarmuar Policinë e Kosovës të cilët menjëherë e kanë rrethuar objektin.
Pas alarmit për një mjet shpërthyes në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, njësiti anti-bombë i Policisë së Kosovës, ka mbërritur në vendin e ngjarjes.
Përpos njësitit të Policisë, pranë Rektoratit është parë edhe një auto-ambulancë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes një emaili.
“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, tha Borovci për Reporteri.net.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën. /Reporteri.net