×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj: Sot kush nuk e mbronë UÇK-në është kundër UÇK-së

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 20:43

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë një reagim pas arrestimit si rezultat i një aktiviteti të këtij subjekti politik pranë vendit ku po mbante konferencë Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës Speciale.


    Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës, derisa ka shtuar se ata që nuk e mbrojnë, marrin pozicion kundër Ushtrisë Çlirimtare.

    Postimi i plotë:

    MBROJTJA E UÇK-SË ËSHTË DETYRË E KOHËS

    Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin.

    Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë.

    Ndërkaq dhuna ndaj nesh, nuk është thjeshtë dhunë ndaj nesh. Është dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar.

    Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar.

    Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!