×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas denoncimit të Reporteri.net, MPB fton AKI-në për të inspektuar dokumentet konfidenciale të kasafortës që u la e hapur

    Reporteri
    18 Qershor 2020 | 17:41

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të kërkojë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë të inspektojë nëse janë të arsyeshme shqetësimet për sigurinë fizike të dokumenteve të klasifikuara në Kabinetin e ish-ministrit Xhelal Sveçla. Për këtë rast ka shkruar Gazeta Online ‘Reporteri.net’ të hënën.


    Në një njoftim për media, MPB-ja ka thënë se pas pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, në kabinet “është gjetur një gjendje e parregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara në nivelin përkatës të klasifikimit”.

    Sipas njoftimit, siç kishte raportuar Gazeta Online ‘Reporteri.net’, MPB-ja ka themeluar fillimisht një komision për të evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e kabinetit.

    A u cënua siguria kombëtare – Sveçla la të hapur kasafortën ku ruhen dokumentet konfindenciale të shtetit

    “Ky Komision përmes raportit të datës 8 qershor 2020, ka konstatuar se disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregulloren nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në njoftim. “Pas raportit të komisionit, i cili ka ngritur shqetësim, MPB si institucion i ruajtjes së këtyre dokumenteve, do të veprojë në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë. Po ashtu do të ftojmë autoritetin kompetent, pra Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo, pra të vërtetojë se Kabineti i ish Ministrit Sveçla a i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde siç i përcakton Rregullorja nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”.

    MPB-ja ka thënë po ashtu se “do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm me qëllim që kjo çështje të sqarohet siç e parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili në nenin 50 përcakton se: ‘cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim’”.

    Për këtë rast, të nesërmen pas publikimit të artikullit në Reporteri.net, Ministri Agim Veliu është ftuar që gjatë javës së ardhshme të raportojë në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ të hënën raportoi se kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry.

    Për shkak të rëndësisë së këtyre dokumenteve konfidenciale, vetëm persona të caktuar do të duhej të kenë qasje në to, e për më tepër publikimi i përmbajtjes së tyre pa u deklasifikuar është vepër e penale e dënueshme me burgim. Kasaforta u gjet e hapur më 4 qershor 2020, kur Agim Veliu u kthye në këtë zyrë, pas ndryshimit të Qeverisë, për të pasuar Xhelal Sveçlen, që deri atë ditë ushtroi detyrën e Ministrit të MPB-së.

    Përveç se u lanë të hapura këto dokumente të rëndësishme dhe konfidenciale për sigurinë e shtetit u gjeten edhe të pa sistemuara mirë. Me ligj parashihen sanksione penale jo vetëm për ata që e nxjerrin por edhe ata që nuk e mbrojnë rrjedhjen e këtyre dokumenteve në publik. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!