×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas dy vjetësh e gjysmë zvarritje e shkelje, në Hagë nis procesi gjyqësor kundër UÇK-së

    Reporteri
    03 Prill 2023 | 8:43

    Dy vjet e gjysmë pas mbajtjes në paraburgim të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Hagë sot nis procesi gjyqësor kundër tyre, ndërkohë që dhjetëra-mijëra qytetarë kanë marshuar rrugëve të Prishtinës për të kërkuar nga Gjykata Speciale drejtësi, e jo politikë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke filluar nga ora 09:00, do ta hapë procesin gjyqësor, me fjalën hyrëse të saj për ta shpalosur aktakuzën e ngritur në prill të vitit 2020, me të cilën krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte – duke i cilësuar ata si një “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”.

    Ky term, siç konsiderohet gjerësisht, përfshin gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila në vitet 1998-1999 zhvilloi luftën e saj për liri nga Serbia.

    Pika 35 e aktakuzës i portretizon si anëtarë të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së.

    Për dy vjet e gjysmë të punës së saj, Gjykata Speciale është kritikuar për vonesën e fillimit të gjykimit, për zvarritje procedurale, për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta, si dhe për bashkëpunim me shtetin serb – nga i cili ka pranuar mijëra dosje.

    Lufta e Kosovës për liri për dy dekada ka kaluar disa rrathë të drejtësisë – vendase dhe ndërkombëtare – dhe tani po përballet edhe me një proces tjetër në Hagë, të katërtin ndërkombëtar, duke i vënë pjesëtarët e UÇK-së pafundësisht në bankën e të akuzuarve.

    Në anën tjetër, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, rreth 6000 kriminelë lufte të padënuar enden lirshëm rrugëve të qyteteve të Serbisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!