×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas heqjes së reciprocitetit, SHBA kërkon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    06 Qershor 2020 | 20:38

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mirëpresin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.


    Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, ambasada amerikane në Prishtinë thotë se tani SHBA-ja pret rifillimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje të plotë.

    “Mirëpresim vendimin e qeverisë në heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që të rinisë dialogu sa më shpejtë që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe rajonit për të siguruar stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane dhënë për REL.

    Më herët gjatë ditës, Qeveria e Kosovës votoi për shfuqizimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, masë kjo që u vendos nga qeveria e kaluar, më 1 prill.

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se ka kërkuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, që të kërkojnë nga Serbia, që edhe ajo të ndalë fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të rinisë dialogu.

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

    Më pas, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti hoqi taksën dhe vendosi reciprocitetin. Por, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kërkuan që edhe reciprociteti të hiqej, në mënyrë që t’i jepej mundësi rinisjes së dialogut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!