×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas katër dështimeve radhazi, Krasniqi e Zeka: Rastin ta zgjidhim me ndërmjetësim

    Reporteri
    05 Nëntor 2019 | 16:37

    Ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi, janë pajtuar që rastin për përleshjen e tyre në studion televizive të Klan Kosovës, ta zgjidhin nëpërmjet procedurës së ndërmjetësimit.


    Një gjë e tillë, është vendosur në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ka arritur të mbahet pas katër dështimeve radhazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ish-deputeti nga radhët e VV-së dhe PSD-së, Frashër Krasniqi, e ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pajtimin e tij që kjo çështje të kalojë në procedurën e ndërmjetësimit.

    Kurse, ish-deputeti Milaim Zeka, ka thënë se nuk e pranon fajësinë, por që ka dhënë pëlqimin e tij, që rasti të procedohet në procedurën alternative.

    Me një gjë të tillë, është pajtuar edhe prokurori i rastit, Fatmir Behrami, ndërsa këtë e ka aprovuar gjykatësi Hanefi Jashari.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja ka ndodhur më 29 shtator 2017, rreth orës 17:40, në Prishtinë, në lokalet e objektit të “Klan Kosova”, në studion e emisionit “Info Magazinë”, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, në të cilin emision Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka ishin të ftuar në cilësi të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, me temën “Mosfunksionalizimi i Parlamentit dhe zgjedhjet lokale”.

    Prokuroria pretendon se të akuzuarit nuk i janë përmbajtur temës së emisionit për të cilën ishin të ftuar dhe gjatë debatit kanë filluar ta fyejnë njëri-tjetrin dhe për një moment janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar të shkojnë në drejtim të njëri-tjetrit, ashtu që i pandehuri Frashër Krasniqi ka filluar ta sulmojë fizikisht Milaim Zekën duke e goditur me grusht në regjionin muror të anës së majtë të kokës, me ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

    Kurse sipas dispozitivit të dytë, në të njëjtën datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, i akuzuari Milaim Zeka, pasi që ishte sulmuar fizikisht nga Frashër Krasniqi, i ishte drejtuar me fjalët “me ty do të merrem pas emisionit”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikësimit se do ti shkaktojë ndonjë të keqe./Betimipërdrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!