Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari është kërcënuar pas një interviste në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ku ishte e ftuar të fliste për vendimin e Gjykatës për lirimin e 11 të akuzuarve në rastin “Pronto”.
Lidhur me këtë ka reaguar e nominuara për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Haxhiu është shprehur se kërcënimet ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë janë të papranueshme dhe se ky akt duhet dënuar, shkruan Reporteri.net.
“Kërcënimet ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë janë të papranueshme dhe duhet të dënohen”, ka shkruar Haxhiu në faqen e saj zyrtare, Facebook.
Tutje Haxhiu bëri thirrje tek institucionet që sa më parë të veprojnë në këtë drejtim.
“Kërcënimet ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë janë të papranueshme dhe duhet të dënohen.
Ata që tentojnë që përmes veprimeve të paligjshme të pengojnë prokurorinë, duhet të dalin para drejtësisë dhe të dënohen sipas ligjit prandaj edhe i ftojmë institucionet që sa më parë të veprojnë në këtë drejtim.Në anën tjetër, kritika ndaj punës së institucioneve të drejtësisë, duhet të shihet si vlerë për të shtuar punën dhe veprimet në ndjekje e dënim të kriminelëve”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, pas kërcënimit të prokurores, Drita Hajdarit, dhe pas paraqitjes të kësaj të fundit në stacion policor, hetimet kanë filluar dhe se njëjta është duke u intervistuar.
Reporteri.net