×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas kërkesës së Thaçit, Veseli do të takohet me krerët e PAN-it për të biseduar rreth mandatarit

    Reporteri
    02 Gusht 2019 | 14:41

    Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN pritet që të mblidhet së shpejti për t’u konsultuar për emrin e ri të mandatarit për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi, për një propozim të ri.


    Kështu ka bërë të ditur numri dy i PDK-së Xhavit Haliti. Ai tha se kryetari i koalicionit PAN, Kadri Veseli do të takohet me krerët e partive në koalicion për t’u marrë vesh lidhur me mandatarin e ri.

    “Z. Thaçi ka vepruar në bazë të Kushtetutës me këtë letër drejtuar z. Veseli si kryetar i koalicionit PAN. Tani pritet që koalicioni PAN të mblidhet dhe të dalë me propozim për kandidatin e ri për kryeministër. Pastaj varët nga Kuvendi nëse ia jep besimin apo jo“, tha ai, raporton GazetaBlic.

    I pyetur, për mundësitë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, në rast se nuk arrihet marrëveshje për një mandatar të ri, Haliti tha se aktualisht si parti janë duke i bërë përgatitjet për këtë çështje.

    “Partitë politike në përgjithësi janë deklaruar se duan zgjedhje, por sa janë të përgatitura secila e di për partinë e vet. Ne si PDK po i bëjmë të gjitha përgatitjet për zgjedhje të reja”, ka thënë ai.

    Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

    Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!