Ditën e djeshme iu është ndaluar hyrja në Kosovë një skuadre basketbolli nga Serbia.
Skuadra nga Serbia ishte nisur për në Kosovë rejt Mitrovicës për ta zhvilluar ndeshjen me skuadrën e ashtuquajtur “Trepça”, shkruan Reporteri.net
Lajmin për Reporteri.net, e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, i cili tha se ekipi “Slloga” nuk ka pasur leje nga ministria kompetente për të hyrë në Republikën e Kosovës.
Mirëpo, pas këtij ndalimi ka reaguar Lista Serbe, e cila e ka dënuar këtë akt të autoriteteve kosovare.
Përmes një reagimi, Lista Serbe ndalimin e sportistëve serbë e ka quajtuar “vazhdim të politikës së vjetër anti-serbe”.
“Populli serb pret që qeveria e re e Kosovës të shfuqizojë të gjitha vendimet e paraardhësve të saj që rrezikojnë jetën normale të të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe të cilat kryejnë ndarje tradicionale të qytetarëve mbi baza kombëtare”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Listës Serbe, përcjell lajmi.net.
Sipas Listës Serbe, vazhdimi i politikës siç thekson ky subjekt politik, anti-serbe do të ishte më shumë se shkatërrimtar për zhvillimin e marrëdhënieve më të mira midis popullit serb dhe shqiptar, e që sipas tyre, që do të ishte një parakusht për mirëkuptim të ndërsjellë dhe ndërtim të besimit, pa të cilin është e pamundur të ndërtohen marrëdhënie normale në të ardhmen.