Përfaqësuesit e Shoqatës së Transportuesve të Podujevës, sot e kanë mbajtur një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës.
Pas këtij takimi, ata vendosën që ta ndërprenë grevën, kështu tha Beqir Mustafa, nga Shoqata e Transportuesve, ndërsa shtoi se së shpejti do ta formalizojnë marrëveshjen.
“Ne u takuam me nënkryetarin e komunës, zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit. Ata vendosën që linja të kalojë nga rruga e Zagrebit (ish-tjegullorja), përmes Pallatit të Rinisë, stacionit të trenit dhe më pas stacionit të autobusëve, për t’u kthyer përsëri”, tha Mustafa.
Derisa Mustafa shtoi se një nga çështjet ende të hapura është numri i stacioneve për transportuesit llapjanë.
“Ne kërkuam dy stacione, por ata na ofruan vetëm një. Tani po diskutojmë me kolegët rreth marrëveshjes”, theksoi ai për KlanKosova.
Një vendim i Komunës së Prishtinës, ndaloi autobusët e Podujevës të hynin në qendër të kryeqytetit.
Në shenjë pakënaqësie, dhjetëra autobusë u parkuan për një javë në rrugë, para objektit të Komunës së Prishtinës.
Gazeta Online Reporteri.net raportoi sot gjatë ditës se Policia e Kosovës s’i kishte kursyer asnjë nga autobusët e parkuar. Kur për 7 ditë, për çdo ditë u kishte vënë nga një gjobë.