Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në adresimin e presidentes Vjosa Osmani në Kuvend.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili.
Paraprakisht, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se edhe këtë vit ka refuzuar të marrë pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas njoftimit të PDK-së, ky refuzim vjen ngase e presidentja ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues.
“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
Për më tepër, si presidente ka vazhduar të qëndroj e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i çasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellur dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK tutje thotë se Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit.