×
  • Lajme
  • Lajme / Opozita

    Pas PDK-së, edhe LDK-ja procedon në Kushtetuese Ligjin për KPM-në, KPK-në dhe vendimin për statutin e UP-së

    Reporteri
    19 Korrik 2024 | 14:54
    Foto: EO

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në emër të partisë ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe vendimin për statutin e Universitetit të Prishtinës. Gjatë së enjtes, i dërgoi edhe Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Gashit, Ligji për KPK-në rrezikon rendin kushtetues.

    “Kemi punuar edhe në Ligjin për KPM-në, i cili synon të kontrollojë mediat online dhe synon të prishë balancat juridike në Kosovë”, u shpreh Gashi.

    Gashi tha se edhe vendimi për statutin e Universitetit të Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën prandaj e kanë proceduar në Kushtetuese.

    “Edhe ky vendim shkel Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai.

    PDK-ja procedon në Kushtetuese Ligjin për KPM-në, KPK-në dhe një vendim për UP-në, Tahiri: Janë në kundërshtim me Kushtetutën

    Dje, në cilësinë e Shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe vendimin për statutin e Universitetit të Prishtinës.

    “Kemi proceduar tri beteja të reja në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Tahiri para mediave.

    PDK-ja, tha ai, konsideron se tri nismat e miratuara në Kuvendin e Kosovës, 2 ligje dhe një vendim janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

    Për KPM-në, tha Tahiri, “është ligj nëpërmjet të cilit tentohet të kontrollohet puna e mediave të lira dhe të cenohet fjala e lirë”.

    “Kanë shkuar aq larg sa që tentohet të kontrollohen edhe individë fizikë”, tha ai.

    Për Ligjin për KPK-në, tha ai, “nuk dihet arsyeja e këtij pushteti që bën punën e njëjtë, dhe me këtë ligj, pushteti aktual po tenton të kapë sistemin prokurorial”.

    “E treta, që kemi proceduar, është vendimi për statutin e UP-së. Ua ka mohuar të drejtat stafit akademik në UP”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se është nismë që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    “Presim të dalim fitues”, u shpreh Tahiri. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!