Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se e ka urdhëruar Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave të fillojë inspektime në subjekte afariste ku ka frekuentim të lartë të qytetarëve, me qëllim të monitorimit të respektimit të masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri.
Kjo masë vjen pas tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut ku 59 persona vdiqën pas zjarrit në një diskotekë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ministri Sveçla ka njoftuar se këto inspektime të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë dhe do të zhvillohen në vazhdimësi në gjithë Republikën e Kosovës.
Ai ka thënë se është konstatuar se në disa subjekte nuk është plotësuar standardi i sigurisë rreth masave për mbrojtje nga zjarri me ç’rast është dhënë afati për plotësimin e kërkesave ligjore për ambiente të sigurta për qytetarët.
“Në rast të mosrespektimit të sigurimit të masave brenda afatit të dhënë kohor, do të ndërmerren masa më të ashpra, të menjëhershme dhe pa asnjë kompromis. Mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioritet dhe nuk do lejojmë të rrezikohet në asnjë formë.”, ka shkruar Sveçla.
Kujtojmë, që në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit, pas një zjarri të madh në një diskotekë në Koçan mbetën të vdekur të paktën 59 persona kurse janë lënduar qindra persona.