Në vazhdën e vizitës së tij nëpër shtetet e Ballkanit, Kancelari Olaf Scholz ka mbërritur në Beograd të Serbisë.
Scholz u prit atje nga presidenti Vuçiq me ceremoni shtetërore.
Ndryshe, Scholz më herët ka përfunduar vizitën në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Ata mbajtën edhe një konferencë për media me ç’rast Scholz foli për “Ballkanin e Hapur” dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
Njëherit, Scholz potencoi se dialogu Kosovë-Serbi duhet medoemos të përfundojë me njohje të Kosovës nga Serbia pasi, sipas tij, dy shtete që nuk e njohin njëra tjetrën nuk mund të anëtarësohen në BE.
“Gëzohem që po vizitoj Kosovën si vendin e parë në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave si dhe për pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të shkojë përpara. Lajçak e ka mbështetjen tonë të plotë. Dialogu është vendi që i hapë Kosovës rrugën drejt perspektivës evropiane. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende që se njohin njëri tjetrin të jenë në BE.
Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania me të gjitha mundësitë që ka do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkangjitur BE-së në kohën e duhur. Ne e kemi bërë këtë prioritet. Por ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, është e rëndësishme të punojnë edhe pjesëmarrësit në këtë proces”, u shpreh Scholz. /Reporteri.net/.