Përfaqësues të bizneseve i bllokuan të enjten përkohësisht hyrjet në kryeqytet në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë, për çka kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u lëshua në kritika ndaj Odës Ekonomike.
Drejtuesi i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha gjatë protestës se bizneset po detyrohen të dalin në tregun e lirë dhe se ato do të përballen me një çmim të ri të rrymës, “220 deri në 270 për qind më të lartë”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë e ka sulmuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe bizneset, duke thënë se “po tentojnë t’i bllokojnë rrugët magjistrale”, duke kërkuar, siç tha, ta bartin koston e energjisë elektrike të 1200 ndërmarrjeve “te faturat e qytetarëve”.
Ai tha se “koha e barrikadave ka përfunduar, dhe se ato nuk do të ngriten më”.
“Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme, në kurriz të 99 përqindëshit dhe të familjeve anë e mbanë Kosovës, ata duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar. I kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen. I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë mënyrë të mençur për efiçientën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë”, tha ai.
Deklarata e Kurtit për çështjen e barrikadave nxiti reagime të shumta. U tha se në këtë mënyrë kryeministri në detyrë i krahasoi bizneset e Kosovës me bandat kriminale që bllokuan rrugët në veri, shkruan gazeta online Reporteri.net.
PDK-ja madje paralajmëroi se të premten do të nisë betejë ligjore në lidhje me këtë rast.
Ndërkaq, drejtori i ZRrE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se pavarësisht gjithë këtyre kundërshtimeve vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 qershori dhe bizneset do të detyrohen të dalin në treg të hapur energjetik.
“Bordi i ZRRE-së i ka shqyrtu këto çështje dhe vendimi është në fuqi ende”, tha ai.
Ndërkohë, të martën mbrëma u njoftua se Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje me KOSTT për furnizim me energji elektrike, në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.
Në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë “për shkak të rolit strategjik që luan në tranzicionin e tregut të energjisë drejt modelit të hapur dhe konkurrues”, shkruan Reporteri.net.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara./Reporteri.net/