Një deklaratë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhënë për Partinë Demokratike të Kosovës, duke i quajtur hajna të klanit “Pronto”, ka ngjallur reagime të ashpra nga akterë politikë në vend.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka hedhur kritika të ashpra për ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj.
Ai thotë se ai person është i pabesë dhe se PDK-ja e ka mbajtur atë në pushtet, e jo anasjelltas.
Gjoshi e akuzon Haradinajn, se i prishi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Ai përfundimisht e vulos faktin që Partia Demokratike e Kosovës, nuk do ia japë në asnjë mënyrë votat që Ramush Haradinaj të bëhet president i ardhshëm i vendit.
“Një person i tillë i cili nga java në javë i ndryshon deklarimet, është vështirë edhe me komentu. Ai nga emisioni në emision i ndërron qëndrimet. Kur kemi ba koalicion me z. Haradinajn në vitin 2017, ne kemi qenë favorit me i fitu ato zgjedhjeve, kemi qenë në pozitë dhe e kemi vendosur si lider. Por, ai ka qenë lider i pabesë. Ne e kemi pasur të garantuar fitoren e zgjedhjeve. E kemi marrë në koalicion partinë e tij, e cila ka pasur vazhdimisht skandale. Ai na ka prishë me Amerikën dhe gjysmën e Evropës. Ne kemi vazhdu me tentu brenda koalicionit me i zgjidhë problemet. AAK-ja është parti që më së gjati e kemi mbajtë në pushtet”, ka thënë Gjoshi për Gazeta Blic.
“Ne nuk kemi ngritur as mocion ndaj tij, por ka dhënë dorëheqje vetë në momentin kur e ka parë që nuk mundet me i përmbushë premtimet që ua ka dhënë të tjerëve”, ka thënë ai. Gjoshi thotë se PDK-ja ka qenë e vetëdijshme se kë janë duke e bërë kryeministër, por shton se një gjë të tillë e kanë bërë për hir të Kosovës. “Ne kemi qenë të vetëdijshëm kë po e bëjmë kryeministër, por e kemi bërë për hir të Kosovës. Ne nuk kemi më mundësi që t’ia plotësojmë më apetitet politike. Deklaratat e tij, janë tani që e ka kuptuar që jo vetëm që nuk mund t’i marrë votat e PDK-së për t’u bërë president, por ai nuk mundet me marrë votë askund. Sepse i ka vetëm 10% të votave”, shtoi Gjoshi.
I pyetur se a pret bashkëpunim mes AAK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në të ardhmen, sekretari i PDK-së, thotë se kjo gjë për ta nuk është aspak problem.
Por, shton se AAK-ja e Ramush Haradinajt, nuk do ta kalojë as pragun zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që do të mbahen ato.
“Nuk na pengon ajo gjë. Ne jemi në opozitë. Kurdo që mbahen zgjedhjet, ne do të hyjmë për t’i fituar ato zgjedhje. PDK-ja, gjithmonë, ka ditur të ulet dhe të gjejë zgjidhje për hir të interesit të shtetit. Haradinaj e ka quajtur dy vjet Albin Kurtin mashtrues, dy vjet tjera ka dalë në protesta me të. Ne e njohim të gjithë atë se si është ai. Por, AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme nuk do ta kalojë as pragun zgjedhor”, ka përfunduar Gjoshi.