Partia Demokratike e Kosovës ka lënë të hapura të gjitha opsionet e mundshme politike pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit për t’iu përgjigjur aktakuzës së Gjykatës Speciale. Kjo parti nuk ka përgjigje se cili opsion është më real për të, zgjedhjet apo futja në Qeverinë Hoti.
Bashkë me Thaçin në Hagë shkoi edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se për t’u përcaktuar për njërin opsion duhet të ketë debat të brendshëm në parti.
“Janë vetëm dy opsione, opsioni i parë dhe shumë real janë zgjedhjet sepse s’ka konsensus brenda partive në koalicion. PDK-ja sigurisht se do ta shqyrtojë seriozisht situatën. Ne s’kemi një president, kemi një ushtruese detyre. Kosova është në udhëkryq ku nuk besoj se lehtë mund të ecën përpara. Këto ditë në vazhdim do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe situatën do ta analizojmë me kujdes, për të parë pozicionin e PDK-së. Si parti opozitare asnjëherë s’e kemi diskutuar opsionin e futjes në Qeveri. Nja tre muaj çdo ditë na kanë futur në Qeveri. Kjo as sot s’është diskutuar. Këto janë dy opsione reale. Ne jemi parti politike, varësisht si e shohim zgjidhjen më të mirë për Kosovën, do të orientohemi nga ajo zgjidhje. Kjo kërkon debat të brendshëm. S’kam përgjigje tani”, ka thënë ai.
Bytyçi madje ka lënë të hapur edhe opsionin që të gjendet një president tjetër nga partitë parlamentare.
Ai ka thënë se ditëve në vijim “PDK-ja do t’i japë kahe këtyre pyetjeve”.