×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK nis fushatën, Veseli premton ndryshim të Prizrenit dhe Kosovës

    Reporteri
    01 Nëntor 2020 | 11:36

    Edhe pse ka muaj deri në zgjedhjet lokale, ndërsa nuk dihet kur do të ketë zgjedhje nacionale, PDK-ja e Kadri Veselit veçse ka nisur fushatën.


    Veseli mbrëmë ka qëndruar në qytetin e Prizrenit ku prezantoi mbrëmë disa aderime.

    Kreu i PDK-së tha se aderimet e reja në PDK janë dëshmia më e mirë se kjo parti është në rrugën e mirë të ndryshimit dhe tashmë po merr edhe më shumë besimin e qytetarëve për ta drejtuar vendin.

    “Jam shumë krenar, që sot, 60 profesionistë të sferave të ndryshme po i bashkoheni Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu, ju na ndihmoni ne, i ndihmoni Prizrenit, i ndihmoni Kosovës”, tha Veseli.

    “Prizreni është qendra kulturore dhe historike e vendit tonë. Prandaj, aderimi i juaj sonte këtu është i një rëndësie të veçantë sepse vetëm kështu, me ju, si profesionistë të dëshmuar, do ta ndryshojmë Prizrenin dhe Kosovën në të njëjtën kohë. Kemi shumë punë për të bërë së bashku dhe ju falënderoj secilin prej jush për besimin dhe angazhimin tuaj.”, ka thënë kryetari Veseli.

    Ai u bëri thirrje të gjithë të aderuarve që të mos kursejnë asgjë për ndërtimin e Prizrenit dhe Kosovës sepse tani është koha kur më së shumti vendi ka nevojë për punë, për dallim prej të tjerëve që mëtojnë të shkatërrojnë të gjitha të arriturat e 21 viteve që janë bërë në Kosovë.

    Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren dhe nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, tha se aderimi i këtyre profesionistëve është dëshmia më e mirë që PDK-ja është motorri i zhvillimeve pozitive në vend.

    “Këta profesionistë të lëmive të ndryshme, po e begatojnë dhe fuqizojnë edhe ofertën tonë, por edhe po i japin profesionalizmin që ka nevojë ndryshimi i madh në Prizren.”, ka thënë Totaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!