Një javë pasi bojkotuan punimet e Kuvendit si shenjë solidarizimi me figurat e UÇK-së që shkuan në Hagë, deputetët e PDK-së pritet t’i kthehen punës.
Mosprezenca e tyre bëri që sërish të mungojë numri i nevojshëm i deputetëve për votimin e Projektligjeve, ku në mesin e tyre është edhe ai për rimëkëmbjen ekonomike.
Por me kthimin e tyre, deputetët e PDK-së nuk sigurojnë se do të japin votat pro këtij projektligji, raporton KOHA.
“Tani, ne do mblidhemi gjatë javës si grup parlamentar, nuk kemi ende vendim për këtë çështje, sepse vendimi jonë ka qenë që të merren parasysh disa rekomandime, veçanërisht të odave ekonomike. Përderisa qeveria nuk i ka marrë, nuk mund të them se do ta votojmë”, tha Kujtim Gashi, deputet i PDK-së.
Rëndësia e këtij projektligji, sipas Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është përtej dispozitës e cila u mundëson qytetarëve të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre në Trust.
Arian Zeka nga kjo odë thekson se mospajtimet në Kuvend veç sa e thellojnë krizën e komunitetit të biznesit.
“Secila ditë, javë dhe muaj vonesë në futjen në fuqi të këtij projektligji i vonon mundësitë dhe aftësinë e bizneseve që të nisin procesin e rikuperimit ose procesin e investimeve të reja të cilat do të lehtësoheshin në masë të madhe nga projektligji për të cilin po diskutojmë”, tha Arian Zeka, Kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Për të tejkaluar këtë situatë, nga organizata “Demokraci Plus” thonë se qeveria duhet ta lërë anash arrogancën dhe t’i përfshijë në projektligj rekomandimet e opozitës.
“Është një arrogancë e Qeverisë që të mos i përfshijë rekomandimet e opozitës në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Barrën për këto mosmarrëveshje dhe këtë mos seriozitet të të dyja palëve e bartin bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, tha Emir Abrashi nga organizata D+.
Në mungesë të kuorumit këtë javë dështoi seanca e jashtëzakonshme e legjislativit, ku ky projektligj pritej të diskutohej në lexim të dytë.
Në leximin e parë projektligji ishte miratuar pas gjashtë dështimeve.
Projektligji për rimëkëmbje synon të ndihmojë në rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë së koronavirusit.