×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca e Kuvendit

    PDK paraqet në Kuvend rezolutën për rrymën: Të anulohet vendimi për shtrenjtim dhe të hiqet bllok tarifa

    Reporteri
    18 Janar 2024 | 11:36

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme po debatojnë për çmimin e energjisë elektrike.

    Në këtë seancë  është prezantuar propozim-rezoluta e PDK-së në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

    Deputeti Ferat Shala kërkoi që të miratohet kjo rezolutë, e cila përmban pesë pika:

    Pika e parë rekomandon anulimin e vendit për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar.

    “I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anuloj vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;”.

    Pika e dytë e kësaj rezolutë parasheh heqjen e bllok tarifës,.

    “I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;”, deklaroi Shala.

    “I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024”, është pika e tretë e rezolutës.

    Në pikën e katërt parashihet që Qeveria e Kosovës të obligohet për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.

    “Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj resolute”, është pika e pestë e rezolutës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!