Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seanca deri te një vendim i Gjykatës Kushtetuese. PDK-ja ka thënë se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese, dhe se do t’i drejtohet Gjykatës.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike. Për këtë arsye, PDK nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja. Edhe pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk ofron asnjë garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të paraqiten kërkesa apo kushte të tjera. Partia Demokratike e Kosovës konsideron se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese. Ekspertët e PDK-së janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi”, thuhet në komunikatë të PDK-së.
PDK-ja ka thënë se deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
“Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”, thuhet nga PDK.
Partia Demokratike e Kosovës po ashtu ka njoftuar se do ta tërheqë përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thuhet se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme dhe të përsëritura të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Sipas Tahirit, PDK-ja kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, pavarësisht skadimit të afatit kushtetues, me qëllim që të kontribuonte në përfundimin e procesit të konstituimit.
“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresë.
PDK ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar “vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar”.
PDK thekson se kjo nuk nënkupton heqjen dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon asaj.
“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në shkresë.

