×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK: Presidentja doli nga pazaret e pista, ajo do t’i shërbejë vetëm Kurtit

    Reporteri
    04 Prill 2021 | 20:31

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar menjhërë pasi që Vjosa Osmani mori votat e mjaftueshme që të shpallet presidente e vendit.


    Sipas PDK-së, sonte, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës

    Komunikata e plotë e PDK-së:

    Sonte, në seancë të territ e të pazarave të cilat do t’i marrim vesh më vonë, Kosova rrëshqiti në monizëm, duke iu bërë dëm i pariparueshëm demokracisë së vendit.

    Sonte, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës. Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur.

    Jo vetëm kaq, Kurti dhe Osmani u lëshuan në pazare me Listën Srpska dhe në blerje të deputetëve të opozitës, si Adelina Grainca, deputete e turpit që tradhëtoi votuesit besnik të PDK-së, për të siguruar votat në këmbim të favoreve dhe privilegjeve duke e kompremetuar tërësisht këtë proces dhe duke e deligjitimuar pozitën e presidentit të shtetit.

    Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila do t’i shërbej vetëm kryeministrit Kurti por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre.

    Vjosa Osmani, presidentja e zgjedhur, nuk do të jetë asnjëherë presidentja valide, unifikuese dhe e të gjithë popullatës – por një figurë e grupeve biznesore, marionetë e një autoritari dhe emri që bëri të mundur goditjen më të madhe demokracisë së vendit.
    Partia Demokratike e Kosovës, si forca e vetme opozitare ndaj këtij pushteti të ri autoritar, do të angazhohet tërësisht në mbrojtjen e rendit demokratik, kushtetutshmërisë dhe do ta kundërshtoj me tërë kapacitetet shantazhin e ushtruar ndaj opozitës dhe institucioneve tjera të pavarura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!