×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK: Qeveria Kurti dhe deputetët e saj sot dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve

    Reporteri
    23 Qershor 2022 | 18:58

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit për mos kalim të Projektligjin për Trustin, projektligj ky që u kundërshtua nga 57 deputetë të pozitës.

    Në një komunikatë të lëshuar për media, nga PDK thonë se deputetët e pushtetit aktual, nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, sot dëshmuan që nuk janë të gatshëm t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve, duke i quajtur “shërbyes të kryeministrit”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë. Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit.”

    Tutje, nga PDK thonë se ky projektligj, i iniciuar pikërisht nga ta, është nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës. Kritika pati edhe për kryeministin Kurti dhe për qeverinë që ai drejton, duke e quajtur si jokompetente dhe pa vizion, përcjell tutje Reporteri.net.

    “Në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre. Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare.”

    Krejt në fund, u vë në pah edhe fakti i krizës së çmimeve, me ç’rast PDK ka shprehur se do të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat e tyre si dhe do të vazhdojë të kërkojë llogari për vendimet e Qeverisë.

    Ndryshe, sot në seancë ka dalë në votim Projektligji për Trustin, mirëpo i njëjti dështoi të miratohet. Nga 102 deputetë sa ishin prezentë në sallë, 57 ishin kundër këtij projektligji, 44 votuan pro, ndërsa 1 abstenoi.

    Projektligji për tërheqjen e Trustit ishte në rend dite edhe në seancën e djeshme, por pas mbylljes së punimeve shkaku i mungesës së kourumit, kjo pikë u shty për seancën e sotme.

    Iniciuesi i kësaj nisme është deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. /Reporteri.net/.

    Nuk kalon Projektligji për Trustin, 57 deputetët e pozitës votuan kundër

    Komunikata e plotë:

    Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë.

    Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit.

    Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 për qind deri 30 për qind të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës.

    Por, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre.

    Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare.

    Rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme. Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova.

    Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë që ligji i diskutuar sot e i mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës u rrëzua nga pushteti aktual, duke pamundësuar kështu sadopak lehtësimin e ballafaqimit të qytetarëve me krizën sociale dhe ekonomike.

    PDK do të vazhdoj të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre dhe do të vazhdoj të kërkoj nga kjo qeveri e papërgjegjshme llogari për dështimet e vazhdueshme në të gjitha fushat e qeverisjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!