Kandidati për deputet nga Lëvizja e Vetëvendosjes, Faton Peci, ka thënë se deklaratat e fundit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, kur tha se rrugën e rugovizmit mund ta trashëgojnë vetëm ata që janë në LDK, janë pikëpamje vetëm të tij.
Ai ka komentuar edhe lëvizjet nga partia, si atë të Vjosa Osmanit. Thotë se lëvizjet janë bërë pikërisht për shkak të parimeve të rugovizmit të cilat nuk u janë përmbajtur anëtarët brenda partisë.
“Është pikëpamje moniste, gjithkush që e vlerëson figurën e Rugovës është për t’u vlerësuar dhe ka pasë lëvizje nga LDK-ja për shkak se parimeve të rugovizmit nuk u janë përmbajtur dhe tregu politik varion, ndryshon me kohë. Sa i përket deklaratave të Mustafës, është goxha indikative se si shumëkush merr guximin të flasë për rugovizmin, por për të diskutuar për rugovizmin duhet ditur për konceptin filozofik të lirisë së brendshme që Rugova e ka kultivuar në politikë”, tha Peci në Interaktiv të KTV-së.
Ai tha se rugovizmi nuk duhet të shihet si vlerë e vetëm një partie.
“Rugovizmi nuk e shoh si që dikush e ka patentën e rugovizmit, çështja është që presidenti Rugova ka rritë që gjithë shqiptarët t’i bëjë bashkë, kushdo që e përfaqëson idetë, e pranon rolin dhe kontributin e tij, duhet shihet si vlerë dhe nuk duhet të shihet vetëm si vlerë nga një parti”, tha ai.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.