×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Peci lirohet në procedurë të rregullt pas intervistimit si i dyshuar nga Prokuroria Speciale

    Reporteri
    27 Maj 2025 | 18:57

    Pas më shumë se katër orësh intervistim në Prokurorinë Speciale, si i dyshuar lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore, Ministri në detyrë i Bujqësisë është liruar në procedurë të rregullt.

    Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

    “Ka përfunduar(intervistimi). Z. Peci është liruar në procedure te rregullt”, ka thënë Luta.

    Intervistimi i tij është bërë pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.

    Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

    Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.

    “Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!