Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është shprehur se ministria që ai e drejton ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm, duke kaluar nga institucioni më i korruptuar në një nga më transparentët në vend.
Ndonëse, javë më parë Ministria e Bujqësisë ishte në thumb të kritikës për shkak të dhënies së granteve për familjarë të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli dhe bashkëpunëtorëve të tij, Peci theksoi se gjatë mandatit të tij, janë eliminuar praktikat e korrupsionit që kishin karakterizuar Ministrinë për dekada, duke instaluar qeverisje transparente dhe meritokraci.
“Ministria e Bujqësisë ka qenë institucioni më i korruptuar në nivel të vendit para katër vitesh. Ndërsa, në dy vitet e fundit, sipas raporteve të organizatave të shoqërisë civile, ajo është vlerësuar si institucioni më transparent,” tha Peci në emisionin CONTEXT në ATV.
Peci tha se objektivi i koalicionit për të arritur gjysmë milioni vota është ambicioz, por i arritshëm me angazhim dhe prezantim të mirë të programit.
Ai theksoi se rritja e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet nacionale nga viti 2010 deri më 2021 tregon se një objektiv i tillë është i mundur.
“Nëse janë mbi dy milionë votues dhe një pikë gjashtë milionë banorë rezidentë, kërkesa për gjysmë milioni votues proporcionalisht i bie 33 për qind. Nuk është e lehtë, por me punë dhe angazhim është e mundshme”, tha Peci.
Peci i komentoi sondazhet e fundit, duke thënë se ato nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me fushatën, por kanë ngjallur reagime të ndryshme për shkak të periudhës kur janë publikuar.
Ai tha se sondazhi i fundit është pjesë e një procesi të përbashkët që realizohet në intervale të rregullta dhe nuk ka të bëjë ekskluzivisht me fushatën zgjedhore.
“Kuptova që ai sondazh nuk është realizuar për shkak të fushatës. Është një sondazh që po realizohet çdo tre muaj dhe që përfshin statistika nga fusha të tjera, jo domosdoshmërisht vetëm aspekti politik dhe përkrahjen për partitë”, tha Peci.