×
  • Lajme
  • Lajme / Afera me fabrikën

    Peci u intervistua si i dyshuar për hajni në Ministri, Kurti e lartëson si “më i miri dhe më i suksesshmi”

    Reporteri
    27 Maj 2025 | 21:32

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka lartësuar Ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Pecit, duke e cilësuar si më të mirin dhe suksesshmin, pavarësisht se i njëjti sot u intervistua në cilësinë e të dyshuarit për korrupsion nga Prokuroria Speciale, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Kurtit, Peci ka qeverisur mirë me sektorin e bujqësisë.

    “Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë. E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, ka shkruar Kurti.

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar sot për rreth katër orë nga Prokuroria Speciale, si i dyshuar lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore. Pas intervistimit, Peci është liruar në procedurë të rregullt. E ndonëse janë bërë rreth tri orë që prej kur është liruar, Peci ende s’e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.

    Intervistimi i tij u bë pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.

    Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

    Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.

    “Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!